Lista Serbe pas takimit me Oravin: Kurti do t’i dëbojë serbët, mungesa e Asociacionit shkaku i të gjitha problemeve
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me përfaqësues të Listës Serbe, pas takimeve që i pati këto ditë me krerët e vendit dhe kryetarët e partive politike shqiptare.
Lista Serbe tha përmes një postimi në Facebook se “në takim u prezantua pozita e vështirë e popullit serb”.
“Populli serb çdo ditë vuan nga represioni i regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i dukshëm i të cilit është dëbimi i popullit serb nga këto vise”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Lista Serbe kërkoi “përfshirje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, deeskalim të situatës në veri dhe veprime konkrete të Bashkimit Europian” për “mbrojtjen e popullit serb”.
Partia më e madhe serbe në Kosovë nuk harroi ta përmendte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se formimi i tij “është vonuar për më shumë se 11 vjet”. Mungesën e këtij asociacioni ata e paraqitën para ambasadorit Orav, si shkakun e të gjitha problemeve.