Osmani udhëton për në Gjermani, për të marrë çmimin “M100 Sanssouci Colloquium”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani, për ta pranuar çmimin e forumit ndërkombëtar “M100 Sanssouci Colloquium”, i cili mbahet një herë në vit, që nga viti 2005, në qytetin e Potsdam-it.
Nominimi i presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim.
Në njoftimin e bërë nga juria, thuhet se presidentes Osmani i është dhënë çmimi M100 për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave.
“Laudation për presidenten Osmani do ta mbajë ‘Rudolph Scharping’, ish-ministër i mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë. Ky çmim u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Përpos presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, duke përfshirë presidentë dhe kryeministra.
Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdamit, Mike Schubert.
Ndryshe, deri tashti me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të ndryshme evropiane, si: Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Naëalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane. /Zëri