Hoxha thotë se Prokuroria duhet ta hetojë procesin e subvencionimit të teksteve shkollore
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, tha se Ministria e Arsimit po e shet për risi “paaftësinë e menaxhimin” me tekste shkollore për nxënësit në këtë fillimvit shkollor.
Hoxha tha se dështimi për të siguruar tekste shkollore për nxënësit i ka kushtuar shtetit 20 milionë euro, ndërkohë që “oferta zyrtare e shtëpive botuese ka qenë 5 milionë euro”.
Ajo tha se ligji parasheh “detyrimin që MASHTI, përmes procedurave të prokurimit, të ofrojë tekstet shkollore falas”.
Një obligim të tillë ligjor ajo tha se Ministria “me dashje dhe me vetëdije nuk e ka përmbushur” dhe “i ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe në këtë mënyrë, edhe të librarive”.
“Të njëjtat tekste shkollore, në procedurë ligjore do të bliheshin shumë më lirë nga Ministria, ndërsa sot qytetarëve iu shiten shumë më shtrenjtë, sepse kështu ka vendosur Qeveria”. Kështu, ajo tha se Qeveria iu mundësoi oligarkëve “fitime milionëshe”.
“Në fund të fundit, është buxheti i shpenzuar treguesi kryesor i menaxhimit të procesit të teksteve shkollore. Në vend se t’i blejmë tekstet shkollore me 5 milionë euro, sot janë shpenzuar 20 milionë euro për të njëjtat tekste shkollore dhe kanë shkuar te të njëjtat shtëpi botuese”, tha Hoxha.
“Nëse një libër, i cili në fund e ka të shkruar çmimin 7 euro, qytetari e blen të njëjtin në librari me 12 euro. Nëse shumën e shtuar prej 5 eurove më tepër që blihet libri në librari, e shumëzoni me numrin e nxënësve (mbi 200 mijë), i bie që veç për një libër të shpenzohen mbi 1 milionë euro më shumë”, tha deputetja.
Ky “eksperiment”, siç e quajti, Hoxha tha se “duhet të hetohet sa më parë edhe nga prokuroria kompetente”.