Komuna e Prishtinës pezullon tenderin prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”
Komuna e Prishtinës ka pezulluar përkohësisht tenderin prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Kështu ka thënë nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Ai në Radio Kosova tha se kjo është bërë për shkak të një ankese nga një kompani drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit, e cila pretendon se ka pasur shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik.
Zogaj theksoi se Komuna e Prishtinës tani është në pritje të një vendimi të OSHP-së dhe kjo mund të marrë pak kohë.
Gazeta online Reporteri.net kishte raportuar se mbi 18 milionë euro planifikon të shpenzojë Komuna e Prishtinës për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Në dosjen e tenderit janë dhënë detaje për punët që do të kryhen, ku janë të ndara në Sheshin e Katedrales, atë te shkolla, komercial, qendror, i koncerteve, i rekreacionit dhe i studentëve.
Aty parashihen punët e rregullimit të jashtëm, punët përgatitore, të demolimeve dhe zhvendosjeve, punët e dheut, ato ndërtimore, të gjelbrimit, furnizimit me ujë, të kanalizimit të ujërave atmosferike, të ujërave të zeza, instalimeve energjetike dhe të ndriçimit, dhe punët e strukturës të katedrales.
Vlera e parashikuar e kontratës është 18 milionë e 400 mijë euro, derisa kohëzgjatja e saj është 360 ditë nga dhënia.