Serbia mund t’i bashkohet BRICS nga presioni i BE-së për Kosovën, thotë Vullini nga Rusia
Zëvendëskryeministri i Serbisë paralajmëroi se “presioni dhe kërcënimet” e Brukselit ndaj Beogradit në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën, mund të çojnë në anëtarësimin e Serbisë në BRICS.
Alleksandar Vullin, këto komente i bëri në Shën Petersburg të Rusisë, ku po qëndron për të marrë pjesë në takimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe këshilltarëve të sigurisë kombëtare të vendeve të BRICS.
“Nëse [zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe politikë të sigurisë, Peter] Stano mendon se Serbia do të pranonte të njohë de fakto ose de jure pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë në këmbim të vazhdimit të rrugës për në Bashkimin Evropian, ai mund të harrojë Serbinë ashtu siç e ka harruar përkushtimin e Prishtinës për të formuar Asociacionin e Komunave (me Shumicë, shën.red.) Serbe. Vetëm le të vazhdojnë zyrtarët evropianë të kërcënojnë dhe të bëjnë presion ndaj Serbisë dhe rruga e saj drejt Evropës do të përfundojë me anëtarësimin e saj të plotë në BRICS”, citohet të ketë thënë Vullini si reagim ndaj deklaratave të Stanos i cili kujtoi se Serbia duhet të respektojë Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e raporteve me Kosovën për t’u lejuar të anëtarësohet në BE, raporton Klankosova.tv.
Vullin ndër të tjera ka falënderuar Kinën për, siç tha, “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe qëndrimin parimor të Pekinit” për mosnjohjen e shtetit të Kosovës.
Falënderimin ai ia shprehu të mërkurën ministrit të jashtëm kinez Wang Yi, të cilin e takoi në Shën Petersburg.
Siç raporton agjencia shtetërore serbe e lajmeve “Tanjug”, ai e informoi ministrin Wang për situatën aktuale në Kosovë, e cila, “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe të vetëdëshiruara” të autoriteteve të Kosovës – “të cilat duan të pastrojnë etnikisht provincën serbe nga serbët – si dhe mosveprimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka rezultuar me heqje të plotë të të drejtave të serbëve në Kosovë” dhe, sipas tij, “po kërcënon të çojë në konflikt”.
Sipas “Tanjug”-ut, Wang vuri në dukje se Kina ndante shqetësimin e Serbisë “për veprimet e paligjshme të Prishtinës kundër serbëve të Kosovës”, duke përsëritur se “Kina besonte se Serbia kishte të drejtë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe shtoi se Serbia do të kishte gjithmonë mbështetjen e Kinës për këtë”.
“Ai tha se Kina kishte identifikuar përpjekje nga fuqitë e huaja që nuk ishin miqësore me Serbinë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë me qëllim të rrëzimit të një qeverie të zgjedhur në mënyrë legjitime”, citon “Tanjug” të ketë thënë ministri kinez.
Vullini po merr pjesë në takimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe këshilltarëve të sigurisë kombëtare të vendeve të BRICS në Shën Petersburg, Rusi, nga 10-12 shtator.
BRICS nënkupton Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, dhe është një grup vendesh të tregut në zhvillim që kërkojnë të thellojnë lidhjet e tyre ekonomike. /Klankosova.tv