Haradinaj: Kurti fshihet pas frikës së vet
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për vizitën e tij të fundit në veriun e Kosovës, duke e quajtur atë një mashtrim ndaj qytetarëve.
Lideri i AAK-së e akuzoi Kurtin për frikë dhe paranoja, duke pretenduar se këto kanë çuar në gabime edhe nga mekanizmat e sigurisë.
“Nuk është trimëri që me një divizion të Policisë, Kryeministri të shkojë në një pjesë të territorit të tij për një hamburger dhe të mashtrojë çdo qytetar se gjithçka në Veri është rregulluar”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai vazhdoi duke akuzuar Kurtin se frikësohet të përballet me gazetarët dhe të shpjegojë çështje të ndryshme, duke përfshirë akuzat e Presidentes, Procesin e Berlinit, dhe mos-hapjen e urës.
Haradinaj gjithashtu pretendoi se kryeministri aktual po i shmang gazetarët dhe po i shtyn kolegët e tij të flasin për tema të ndryshme pa dhënë shpjegime konkrete.
Kreu i AAK-së shkoi edhe më tej, duke aluduar se Kurti po shmang diskutimin për ligjin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme, duke sugjeruar se bashkëpunëtorët e tij mund të jenë të prekur nga ky ligj.
“Ai sot as për Byronë për Konfiskim të Pasurisë nuk foli sepse ai e din që bashkëpunëtorët e vet do të jenë klientët e parë të saj”, tha Haradinaj.