Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë, Hill: SHBA kërkon që sulmuesit të mbahen përgjegjës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka folur në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë.
Siç raporton REL, Hill ka thënë se SHBA-të angazhohen që sulmuesit të thirren përgjegjësi dhe se qëndrimi amerikan ka kohë që është i njohur.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, të cilët ishin pjesë e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, shtatorin e vitit të kaluar.
Qeveria e Kosovës e cilësoi këtë sulm si terrorist.
Në një sulm në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Milan Radoiçiq, një ish politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet të jetë në Serbi, mori përgjegjësinë për sulmin.