Elezi: 2.559 aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës deri tani
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri tani kanë pranuar 2.559 aplikime për t’u regjistruar të votojnë si votues jashtë Kosovës.
Për Klankosova.tv, ai ka treguar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
“Në bazë të të dhënave, deri më 11 shtator 2024 janë pranuar 2.559 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 2.310, ndërsa 249 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, ka thënë Elezi.
“Nga 2.310 aplikime të aprovuara, 964 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 212 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 1.134 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tha Elezi për Klankosova.tv.