Ngritja e aktakuzës për Banjskën, Konjufca: Më mirë vonë se kurrë
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se është lajm i mirë ngritja e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë, duke e komentuar më frazën “më mirë vonë se kurrë”.
Ai tha se supozon që Prokurorisë iu desh gjithë kjo kohë për shkak të numrit të madh të kriminelëve që kryen aktin terrorist në shtator të vitit të kaluar në Banjskë.
“Sa i përket aktakuzës lidhur me sulmin terrorist prapa të cilit qëndron Serbia, i cili u bë në Banjskë, ky po që është lajm i mirë, që nuk dua të jap kritika të tjera më pastaj pse u vonua kaq shumë. Fraza më e mirë që i shkon këtij lajmi është: ‘më mirë vonë se kurrë’. Po supozoj që Prokurorisë i është nevojitur gjithë kjo kohë për të kompletuar dosjen e aktakuzës sa i përket gjithë atij numri të madh të kriminelëve që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këtë sulm”.
Konjufca tha se meqë kjo çështje u bë objekt i drejtësisë, pyetjet duhet të drejtohen te këto organe.
“Të gjithë kriminelët që ishin përgjegjës për këtë sulm e në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku ta marrin drejtimin e merituar dhe të dalin para drejtësisë”.
Këto komente Konjufca i bëri në konferencën e përbashkët për media që pati me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.