“E kam lut me u ndal”, pronari i hotelit ku kishte ndodhur vrasja në Dragodan rrëfen për ngjarjen

“E kam lut me u ndal”, pronari i hotelit ku kishte ndodhur vrasja në Dragodan rrëfen për ngjarjen

Aktuale September 10, 2024 - 23:01

Dëshmitari Vegim Imeri, pronar i hotelit ku kishte ndodhur vrasja në 2023-ën në Dragodan, gjatë dhënies së dëshmisë ka rrëfyer se si kishte ndodhur kacafytja mes të akuzuarve dhe tani të ndjerit.

Në këtë rast Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T. në Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa po akuzohet për manipulim me prova.

“Unë kam qenë në shok, se është hera e parë që diçka e tillë ka ndodh brenda objektit tonë. Përveç fjalëve fyese banale,… tjetër nuk kam dëgju, ka qenë kohë e shkurtë rreth 1 minutë”, tha dëshmitari Imeri.

Në pyetjen e prokurores Fatmire Cacaj, dëshmitari Imeri ka deklaruar se tani i ndjeri gjatë gjithë kohës i ka lutur që të ndalet të mos bëj probleme.

“I ndjeri  R.T me veprimet e tij gjatë gjithë kohës ka insistu. Unë kam qenë barrikadë aty, e kam lut me u ndal, i kam dal në pjesën e përparme dhe e kam lut të mos na shqetësonin mos na bëni probleme brenda objektit, ka qenë i mllefosur dhe vetëm ka insistu”, deklaroi ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se të akuzuarin Avni Mustafa e ka parë me armë në dorë.

“Më pas dera është mbyll dhe vetëm çka kam pa në kamera. Mendova që gjithçka kaloi dhe u qetësua situata dhe secili shkojë në drejtimin e vet. Mandej kam dëgju disa të shtëna një dy apo tri nuk më kujtohet saktë”, tha dëshmitari Imeri.

Ai shtoi se të gjithë klientët kanë qenë të panjohur për të, përveç të akuzuarit Mustafa.

Në pyetjen e mbrojtësit të palës së dëmtuar, avokatit Ndrec Dodaj, dëshmitari tha se nuk ka parë se çfarë ka ndodhur në pjesën e prapme të tij, ngase ka qenë i fokusuar në pjesën e përparme.  

Tutje, në pyetjen nga mbrojtësi i të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha, dëshmitari Imeri ka thënë se përveç lutjeve për tu ndal nuk pas diçka të bëjë tjetër.

“Këto lutje fatmirësisht kanë funksionuar brenda objektit dhe për momentin janë evitu problemet dhe tensionet u ulën, ndërsa jashtë ka ndodh ajo që ka ndodh, që s’kisha dashtë me ndodh”, tha ai.

Gjithashtu, në pyetjen e avokatit Berisha, dëshmitari ka thënë se “ata ishin duke u shtyrë në mes vete siç shihet në kamera, dhe unë veç i kam shty edhe kom hy në mes për t’i ulur tensionet dhe duke i lutur vazhdimisht”.

Lidhur me këtë, avokati Besnik Berisha ka kërkuar nga trupi gjykues që të mundësohet shikimi i një video e cila është administruar si provë, ku shihen momente para vrasjes së tani të ndjerit R.T.

Këtë kërkesë të avokatit Berisha, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Gent Beka e ka aprovuar ashtu që seanca është shtyrë disa orë që të përgatitet salla ku mund të bëhet shikimi i video -incizimit.

Pas shikimit të video – incizimit seanca ka vazhduar me pyetjet nga avokati Berisha.

Dëshmitari ka thënë se tani të pandehurit dhe më vonë i ndjeri kanë dalë jashtë dhe se nuk ka pasur nevojë që me forcë me i largu nga objekti.

Gjithashtu, dëshmitari Imeri ka thënë se nuk ka perceptuar asnjë rrezik nga ana e tanimë të ndjerit R.T dhe se nuk ka ide pse iu ka vërsul të akuzuarit jashtë objektit dhe se këtë e ka parë vetëm përmes kamerave të objektit.

Seanca e sotme u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të rregullt të punës, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë në një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur me 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzuari Avni Mustafa me datë 19 mars 2023 rreth orës 13.20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtine për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde e ka privuar nga jeta të ndjerin R.T duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit.

I akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën “pjesë marrje në rrahje”  dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “manipulim me prova” pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava” me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.