Osmani në përkrahje të peticionit qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, ne të gjithë bashkërisht duhet ta rikujtojmë një të vërtetë të fuqishme, gjithmonë ka shpresë.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund ta thyejmë heshtjen, ta çrrënjosim stigmën dhe të tregojmë se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në çfarëdo sfide apo beteje”.
“Dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim”, ka shkruar presidentja, transmeton Telegrafi.
Osmani i ka ftuar deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor.
“Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë”, ka shkruar Osmani.
Organizata “Linja e Jetës” ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin për projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes. Peticioni, i dorëzuar në ditën botërore të parandalimit të vetëvrasjeve, është dorëzuar me 13 mijë e 361 nënshkrime të mbledhura.
Kryetari i “Linjës së Jetës”, Bind Skena, e ka quajtur arritje të jashtëzakonshme nisjen për herë të parë të hartimit të politikave të tilla. Skeja e ka quajtur joserioze qasjen e Kuvendit, për mos pritjen e ekipit që ka dorëzuar peticionin.