KFOR-i për hapjen e urës mbi Ibër: Vendimi duhet të merret përmes dialogut
Misioni i KFOR-it ka shprehur qëndrimin se çdo vendim për hapjen e mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.
KFOR-i thot se për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës.
“Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, transmeton Telegrafi.
Në ndërkohë, KFOR-i do të mbajë prezencën e tij fikse në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
“Në ndërkohë, KFOR-i do të mbajë prezencën e tij fikse në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth. Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën. Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së”, ka thënë KFOR-i.
Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se Ura e Ibrit duhet të hapet, duke nënvizuar se kjo masë nuk është kundër askujt, por për përfitimin e të gjithë qytetarëve.
Këto deklarata ai i bëri gjatë një vizite në veriun e Kosovës të martën.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e kësaj ure prej disa muajsh, megjithëse ideja është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që çështja të zgjidhet përmes dialogut. Aktualisht, Ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorët. /Telegrafi/