Dhomat e Specializuara me vendim të ri, ia ulin dënimin Salih Mustafës në 15 vjet burgim
Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu serish çështjen tek kjo shkallë.
Vendimi është marrë sot me 10 shtator 2024 e që Mustafës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vite burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndaj këtij vendimi, ai kishte paraqitur ankesë në Apel, kurse Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim. /BetimipërDrejtësi/