Punësohen 149 punëtorë të rinj në KEK
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot termocentralin “Kosova B” të KEK-ut, në të cilin janë duke u bërë remontet në përgatitje për sezonin e dimrit.
Në një njoftim nga Qeveria, thuhet se qëndrimi në KEK kishte në fokus jo vetëm vëzhgimin nga afër të kushteve dhe punës që zhvillohet atje, por veçanërisht edhe bashkëbisedimin me punëtorët e KEK-ut në lidhje me angazhimin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen ata.
"Sot KEK-ut po i bashkohen 149 punëtorë të rinj, për të cilin kryeministri nënvizoi rëndësinë e shtimit të kuadrove të reja dhe inkuadrimit të sa më shumë të rinjve e të rejave”, thuhet në komunikatë.
"Ne e duam dhe e vlerësojmë lart KEK-un si burim natyror i energjisë, si kapacitet prodhues e zhvillimor, por njëkohësisht edhe si organizatë e punëtorëve që po zgjerohet sot", shtoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se KEK-u është jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe rritja ekonomike që e ka shteti ynë në tre vjetët e fundit, mesatarisht 6.2 për qind të bruto produktit vendor, nuk do të ishte i mundur pa energjinë që vjen nga ky vend dhe nga puna e palodhshme e punëtorëve atje.
Në përfundim, kryeministri u dëshiroi suksese e punë të mbarë punëtorëve të rinj, si dhe shprehu përkrahjen e palëkundur të Qeverisë për KEK-un. /Zëri