Kuvendi “i lodhtë” me vetëm 29 seanca këtë vit, në çdo seancë munguan mbi 24% e deputetëve
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti sot konferencë për media, ku shpalosi raportin vlerësues për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror janar-korrik 2024.
Violeta Haxholli, menaxhere e projektit, tha se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka shënuar një rënie në aktivitetin e tij, duke vënë theksin se për gjithsej 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca. Nga janari deri në fund të muajit korrik Kuvendi zhvilloi 29 seanca, 10 prej të cilave ishin seanca plenare, kurse për shkak të mungesës së kuorumit kishte 7 vazhdime të këtyre seancave. Ndërsa, janë mbajtur edhe 6 seanca të jashtëzakonshme dhe 6 seanca solemne.
Përkundër rekomandimeve të vazhdueshme të KDI-së për planifikim më të mirë dhe racional të punës, rendi i ditës për të gjitha seancat e rregullta ishte i stërngarkuar dhe nuk arriti të trajtohet asnjëherë në tërësi. Si rezultat, pikat e rendit të ditës kanë vazhduar të barten nga seanca në seancë. Shkak kryesor për mosrealizim të rendit të ditës mbetet mungesa e kuorumit të nevojshëm. Vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve.
Haxholli shtoi se përgjatë sesionit janë miratuar gjithsej 36 projektligje, numër ky më i ulët se sa në sesionin e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin miratuar 44 projektligje. Shprehur në përqindje, agjenda e Kuvendit është përmbushur 28%. Nga 36 projektligje të miratuara, vetëm 3 projektligje janë pjesë e agjendës legjislative të ekzekutivit të vitit 2024, që do të thotë se më pak se 1% e agjendës legjislative 2024 të Qeverisë është miratuar gjatë këtij sesioni. Të tjerat projektligje që u miratuan ishin ato që për vite kishin mbetur në procedurë.
Miratimi i projektligjeve është përcjellë me një dinamikë jouniforme dhe të pabalancuar. Për shembull në 3 muajt e parë të sesionit pranveror janë miratuar vetëm 2 projektligje, kurse 3 muajt pasues 34 të tjerë. Në anën tjetër, 44 projektligje ende mbesin në procedurë, ndër to 22 projektligje nga agjenda e Qeverisë e vitit 2024.
Ndonëse kishte më pak raste të përdorimit të gjuhës joparlamentare në seanca, situata ishte ndryshe në mbledhjet e komisioneve, veçanërisht në mbledhjet e komisioneve hetimore. Në mjaft raste deputetët iu drejtuan njëri-tjetrit me shprehje ofenduese.
Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, Haxholli shtoi se gjatë këtij sesioni nuk u ftua asnjë herë në raportim Kryeministri dhe nuk u organizuan interpelanca. Megjithatë, deputetët parashtruan 110 pyetje për Qeverinë, ndonëse numri i pyetjeve krahasuar me sesionin pranveror të vitit të kaluar ishte më i ulët. Pyetjet u përsëritën disa herë për shkak të mungesës së përgjigjeve nga ana e ministrave, duke çuar në rritje të numrit të pyetjeve të parashtruara. Qeveria në përgjithësi ofroi vetëm 33 përgjigje, ndërsa përgjigje nuk kanë ofruar Kryeministri Kurti të cilit i janë parashtruar pyetje 36 herë dhe disa nga ministrat e kabinetit si, ministri Xhelal Sveçla, ministrja Arbërie Nagavci e ministrja Rozeta Hajdari. Ministri Hekuran Murati ka ofruar vetëm dy përgjigje ndonëse i janë parashtruar pyetje 28 herë.
Haxholli foli gjithashtu edhe për temat kryesore gjatë këtij sesioni, ndërsa prej tyre u veçuan diskutimet rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfundimi i draftimit të Kodit të Sjelljes nga Komisioni për Legjislacion, por i cili ende pret miratimin përfundimtar në seancë.
Puna e 14 komisioneve parlamentare gjatë sesionit pranveror u kornizua në gjithsej 193 mbledhje në të cilat janë përfshirë edhe dëgjimet publike dhe dëgjimet mbikëqyrëse. Ndërsa komisionet hetimore mbajtën 36 mbledhje. Komisionet ftuan në raportim 15 herë përfaqësuesit e ekzekutivit, mesatarisht një raportim për komision.
Gjatë sesionit kanë vazhduar punimet për rikthimin e sistemit të votimit elektronik pas plot 3 viteve qëkur ai ishte jashtë funksionit. Kjo ka bërë qe edhe në këtë sesion të votohet “me dorë” gjë që në disa raste ka vënë në dyshim numërimin e saktë të votave. Në anën tjetër, disa nga komisionet vazhduan të mos publikojnë procesverbalet dhe transkriptet nga mbledhjet e komisioneve, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit. Ndërsa, Kuvendi vazhdoi të mos publikojë asnjë informacion lidhur me mbledhjet e komisioneve ad-hoc dhe hetimore.
Në javën e fillimit të sesionit vjeshtor, KDI-ja kërkon nga Kuvendi të shmang mangësitë që kanë karakterizuar sesionin pranveror dhe sesionet e mëhershme, me planifikim të mirëfilltë të seancave dhe organizim të seancave çdo javë, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, rol më aktiv të kryetarit të Kuvendit në zbatimin e Rregullores, dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.
Po ashtu Kuvendi duhet të miratojë gjatë sesionit vjeshtor edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, i cili për disa muaj po pret miratimin përfundimtar. /Zëri