Shtohen provokimet, “Kur ushtria kthehet në Kosovë” shfaqet në kufirin Shqipëri - Mal i Zi
Një akt i rëndë është shënuar të dielën në afërsi të kufirit me Shqipërinë, në aksin Tuz – Bozhaj.
Një grup qytetarësh kanë organizuar një bllokadë të pikës kufitare Bozhaj, ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, me qëllim të mbështetjes për serbët në Kosovë.
Sipas mediave malazeze, përfaqësues të veteranëve ushtarakë nga luftërat e viteve 1991 – 2001, anëtarë të batalionit të 7-të të policisë ushtarake të Ushtrisë Jugosllave dhe anëtarë të vëllazërisë ortodokse Zavjetnici Tvrdos Nikshiq ishin në mesin e të mbledhurve që mbanin pankartën “Kur ushtria kthehet në Kosovë”.
Ish-brigada u shërbeu autoriteteve të atëhershme në Beograd, pra regjimit të Millosheviqit për aktivitete hibride në territorin e Malit të Zi dhe shkaktimin e incidenteve, provokimeve dhe konflikteve.
Për aktin e rëndë kanë reaguar politikanët shqiptarë në Mal të Zi, kryetari i Komunës së Tuzit, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj.
Camaj tha në fjalim se ky demonstrim qoftë spontan, qoftë i planifikuar nga qarqet ose individët serbë është i papranueshëm dhe një gjë të tillë e ka cilësuar provokim.