Aktakuzë ndaj një personi në Prizren, ua mundësoi fitimin e shtetësisë 124 personave
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.S., turk – shtetas i Republikës së Kosovës, i cili gjendet në paraburgim nga data 05.03.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në vazhdimësi ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media sipas aktakuzës, nga data 20.01.2021 në vazhdimësi deri më datë 05.01.2024, i pandehuri M.S., – në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mamushës, me dashje i tejkalon dhe keqpërdor autorizimet e tij ligjore.
“I njëjti nxjerr dokumente zyrtare të falsifikuara dhe ndërhynë në regjistrin zyrtar duke shënuar të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e tij dhe me vulën zyrtare vërteton dokumentet zyrtare dhe regjistrin me përmbajtje të rreme, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht i regjistron në sistemin e gjendjes civile duke u lëshuar ekstrakte të lindjes dhe ua mundëson fitimin e shtetësisë 124 personave, të cilët i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Me këto veprime në vazhdimësi kryen veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit në datat e lartcekura, i pandehuri M.S., pa autorizim dhe me qëllim që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete dhe për personat tjerë, si dhe me qëllim që t’i shkaktoj dëm personit tjetër – Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës (ARC), hyn në sistemin kompjuterik të tjetrit – zyrtarit N.M., të cilit fillimisht arrin t’ia siguroj fjalëkalimin privat dhe më pas ia përdorë userin, nga ku regjistron të dhëna në sistemin e gjendjes civile dhe më pas në periudha të ndryshme kohore.
“I regjistron në sistem 113 persona, të cilët pa qenë fare në librat amë të lindjes, dhe pa pasur fare dosje të verifikimeve, i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të të pandehurit përmes hyrjes pa autorizim në sistemin kompjuterik të tjetrit, ua mundëson personave të lartcekur pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës. Me këto veprime në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘Hyrja e paautorizuar kompjuterike’”.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
“Po ashtu prokurori, ka propozuar që përveç dënimit kryesor të pandehurit t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe të bëhet anulimi i veprimeve juridike të kundërligjshme, në drejtim të 124 personave, të cilët janë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme dhe të obligoj ARC-në që t’i shpallë të pavlefshme dokumentet e tyre të nxjerra në emër të Republikës së Kosovës, duke përfshirë po pa u kufizuar në: certifikata, letërnjoftime dhe pasaporta”, thuhet ndër në njoftim.