Pas takimit me Bislimin, Lajçaku paralajmëron një vizitë edhe në Serbi
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë disa detaje për takimin që pati në Kosovë javën e kaluar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Lajçaku, përmes një postimi në rrjete sociale, ka bërë të ditur se pas Prishtinës do të vizitojë Beogradin, për të përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
“Me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi diskutova për zhvillimet e fundit gjatë verës, agjendën e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve dhe qasjet se si të trajtohen disa nga çështjet aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Më pas do të shkoj në Serbi në përgatitje të takimit të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçaku.
Ndryshe, javën e kaluar Lajçaku zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Në këtë takim diskutimet u përqendruan në tri tema kryesore: dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të zbatimit.