Biçikletat e Prishtinës, 100 sosh tashmë janë në funksion të qytetarëve
100 biçikleta tashmë janë në funksion të qytetarëve të Prishtinës. Me përdorimin e tyre mendohet të shkarkohet sadopak trafiku i mbingarkuar i automjeteve në kryeqytet dhe përmirësimi i mjedisit urban. Por sa janë të interesuar qytetarët për përdorimin e tyre dhe a e shohin si zgjidhjen e duhur për transport, e shohim në materialin në vazhdim.
Janë gjithsej 10 stacione në krejt qytetin e Prishtinës, me nga 10 biçikleta. Në total janë 100 biçikleta. Vlera e këtij projekti ishte rreth 300 mijë euro.
Janë vendosur edhe shtyllat informuese afër tyre. Edhe aplikacioni. Është vendosur edhe çmimi dhe koha e shfrytëzimit të tyre, dhe gjithçka duket e përfunduar.
“Funksionimi i tyre veç ka fillu siç e di unë, sepse disa prej tyre dje i pashë edhe janë marrë prej anës së qytetarëve mirëpo ka disa vërejtje për shembull, mënyra e aplikimit, ishte një mënyrë e aplikimit që jo çdo qytetar mundet me ju qasë, sidomos moshat e vjetra. Arsyeja është që ishte një aplikim bukur kompleks”, tha për RTK-në Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
“Ishte dashtë ta kemi një lloj trafoje këtu, të karikohet me energji elektrike dhe pastaj kur të kthehet në terminal, ajo e liron atë energjinë elektrike dhe shfrytëzohet nga qyteti!”,shtoi ai.
Disa qytetarë kanë mendime të ndryshme për këto biçikleta. Ju duken shumë jofunksionale për t`u ngjitur disa rrugëve të qytetit dhe shumë prej tyre shprehën keqardhje pse ato nuk janë elektrike. Nuk shihen që ka shumë qytetarë të interesuar për t’i përdorur ato!
“U ndala veç me i kqyrë biçikletat, kështu të mira, të lehta krejt, veç e kanë një problem, se këtu te ne përtojnë njerëzit me i jep shumë, e nuk e kemi terrenin shumë të përshtatshëm. Veç të kishin qenë me rrymë elektrike shumë më mirë”, tha Enes Keriq i cili porositi qytetarët që t’i përdorin sa më shumë biçikletat e sa më pak veturat.
Me përdorimin më të shpeshtë të biçikletave mendohet të shkarkohet sadopak trafiku i mbingarkuar i automjeteve në Prishtinë.