Basha reagon për Asamblenë e PS: Teatër i shëmtuar që riciklon veten
Lulzim Basha ka zgjedhur të reagojë përmes një shkrimi në Facebook për Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku kryeministri prezantoi ekipin e ri për zgjedhjet e 2025 dhe renditi punët e qeverisë.
Për Bashën, ky ishte një teatër i shëmtuar e Ramës që synon t’i trajtojë qytetarët pa spektatorë, teksa komentoi dhe vendimin e kryeministrit për listat e hapura.
“Si përherë, shumë e për lumë. Hipokrizia për të sharë partnerin me të cilin mbylli listat dhe liroi të korruptuarit e tij përmes amnistisë, është teatri i shëmtuar që riciklon veten vit pas viti. Qëllimi është t’i trajtojnë qytetarët si spektatorë, pa fuqi vendimmarrëse, pa liri politike, pa zë në zhvillimin e vendit”, ka shkruar Basha.
Ai ka shtuar se është qesharake “rrahja e gjoksit” të kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë, teksa thotë se ai do të kandidojë në pjesën e hapur të listave.
“Ç’nevojë ka ta trajtojë si trimëri kandidimin te pjesa e hapur e listave, kur kishte mundësinë që t’i hapnin ato për të gjithë? Kjo është vetëm tallja e radhës me qytetarët, të cilëve i’u mohua e drejta e zgjedhjes nga dyshja që në pazarin e vulës ndanë copa pushteti, Rama qeverinë e korruptuar, Berisha opozitën fasadë.
Prandaj në zgjedhjet e ardhshme oferta e tyre është shumë e qartë: Voto Ramën merr Berishën, voto Berishën mbaj Ramën. Demokratët Euroatlantikë qëndrojnë të vendosur kundër këtij pazari që cakton mandatet në tavolinë dhe Shqipërinë e ndan si plaçkë për dyshen e vjetër dhe klientelën e tyre. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.