Siljanovska uron pavarësinë e RMV-së: Detyra jonë është që t’i lëmë anash ndarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dërgoi një mesazh urimi për qytetarët me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, në të cilën thekson se është detyrë e jona t’i lëmë mënjanë përçarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik.
“Më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët e Maqedonisë, duke e shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, shprehën vullnetin e tyre dhe votuan në një numër të madh për një republikë sovrane dhe të pavarur të Maqedonisë. Ai vullnet përveç votimit të referendumit u shpreh edhe përmes fytyrave të ndezura të mijëra qytetarëve që spontanisht u mblodhën në sheshin “Maqedonia”, ku me shumë entuziazëm dhe shpresë për të ardhmen iu gëzuan pavarësisë”, thuhet në urim.
Me atë akt, shton presidentja, ata, ne qytetarët e Maqedonisë, në mënyrë të mençur, demokratike dhe paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, u larguam nga federata që po shembej dhe hymë në fazën e re të shtetësisë maqedonase.
Më tej ajo thekson se është detyra jonë të lëmë mënjanë ndarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik.
Siljanovska Davkova theksoi se vetëm me evropianizimin e shtetit, me shtetin ligjor dhe me luftën kundër korrupsionit, me institucione funksionale dhe me një ekonomi konkurruese dhe sistem meritash, do t’u mundësojmë brezave të rinj të realizojnë të drejtën për të kërkuar lumturinë në vend, në atdheun e përbashkët në të cilin do të punojnë, do të krijojnë familje dhe do të krijojnë një të ardhme.