Gazetari Krstiq flet për skenar: Bllokimi i rrugëve u organizua dhe u mbështet fshehtë nga kabineti i Vuçiqit
Gazetari Branislav Krstiq ka komentuar bllokadën e rrugëve brenda territorit të Serbisë si reagim ndaj mbylljes së komunave paralele në Veri.
Ai ka thënë se “mbetet të shihet nëse këto bllokada të rreme u dërguan paralajmërim autoriteteve ndërkombëtare se hapja e urës kryesore në Mitrovicë nuk është diçka e re”.
Sipas tij, këto bllokada disa orëshe janë organizuar dhe mbështetur fshehurazi nga kabineti i Presidentit të Serbisë.
Krstiq ka folur për skenar të mundshëm të Serbisë që qëllimisht t’i bëjë dredhi vetes dhe serbëve nga Kosova, duke vënë kërkesa të parealizueshme të protestuesve, shkruan Kossev, transmeton express.
“Është e thjeshtë, është dashur të bëhet një hap ekstrem i njëanshëm për të arritur një ekuilibër për ndërhyrjen e njëanshme të Kurtit në objektet ku janë vendosur institucionet e Serbisë. Kjo ua ka bërë më të lehtë autoriteteve ndërkombëtare që ta shohin Kurtin përmes gishtave kur ai e kosovarizon në mënyrë të dhunshme dhe të njëanshme veriun.
Tashmë është ekspozuar plotësisht roli aktiv i kabinetit të Presidentit të Serbisë për ta lënë plotësisht veriun e Kosovës nën autoritetin e Prishtinës zyrtare”.
Sipas tij, “lënia e serbëve të Kosovës nën mëshirën e Qeverisë së Kosovës është pjesë e marrëveshjes që Vuçiq e ka pranuar në dialog”.
Krstiq shton se Beogradi i ndihmoi Kurtit duke organizuar edhe protesta në Zveçan, duke i dhënë kështu kryeministrit kosovar “justifikim për arrestimet e ardhshme”.
Krstiq duke e elaboruar “skenarin” thotë se Lista Srpska me urdhër të Beogradit pasivizohet, ndërsa aktivistët jo qeveritare dalin dhe ‘luftojnë’ me Kurtin.
“Është një fiasko e plotë dhe një truk klasik ose, siç thonë njerëzit këtu, një tradhti ndaj interesave të serbëve të Kosovës”, thotë ai.
Krstiq thotë se gjithcka që ka ndodhur në dy vitet e fundit në veri nuk është meritë e kryeministrit Albin Kurti, por realizimi i marrëveshjeve të arritura dhe të nënshkruara nga Vuçiq dhe Daçiq.
Kështu, shton Krstiq, presidenti serb ka përmbushur thuajse gjithçka është marrë vesh në Bruksel dhe Ohër, dhe tani gjithçka është në dorën e kryeministrit të Kosovës, i cili thotë se është ‘I detyruar me marrëveshje ndërkombëtare të zbatojë formimin e Asociacionit”.
Ai nuk beson se, për Kurtin, bllokadat e rrejshme të pikë kalimeve kufitare do të jenë “akti i fundit i Aleksandër Vuçiqit”. Sipas tij, mbetet për t’u parë, nëse këto zhvillime u kanë dërguar mesazh zyrtarëve ndërkombëtarë se “ hapja e urës kryesore në Mitrovicë nuk është diçka e re”.