Sveçla: Serbia në panik, përpjekjet për destabilizim të Kosovës e rajonit po i dështojnë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, duke përdorur taktika të ashtuquajtura “sipas shkollës ruse”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai deklaroi se Serbia po intensifikon luftën speciale kundër Kosovës, duke kombinuar propagandën, operacionet subversive dhe metodat hibride për të realizuar qëllime politike.
Sipas Sveçlës, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën kanë dështuar në disa raste, përfshirë vendosjen e barrikadave në veri, sulmet paramilitare në Banjskë, dhe përpjekjet për të nxitur konflikte në komunat veriore përmes lajmeve të rreme dhe fushatave propaganduese.
“Dështuan në arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri; Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë; Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese”, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme.
Ai gjithashtu ka theksuar se Serbia po mbron grupe kriminale me qëllime politike dhe financiare, përfshirë trafikimin e drogës dhe armëve.
“Dështuan në synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve; Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës”.
Sveçla shtoi se përpjekjet për të destabilizuar rajonin përmes inskenimeve dhe incidenteve ndaj serbëve në Kosovë janë gjithashtu pjesë e një fushate më të gjerë të orkestruar nga Serbia, duke përfshirë struktura radikale dhe grupe kriminale.
“Së fundmi ndodhi bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti”, shtoi Sveçla.
Ministri i Brendshëm tha se orientimi Euro-Atlantik i rajonit nuk ka kthim dhe sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm.
“Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim”, ka përfunduar Sveçla.