Hapen pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak, Sveçla: Bllokadat nga ekstremistë serbë janë larguar
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë hapur për qarkullim pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak.
Sipas Sveçlës, deri te ky vendim ka ardhur pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, shkroi Sveçla.
Që nga ora 18:00 e ditës së djeshme, grupe ekstremistësh serbë bllokuan disa nga pikëkalimet kufitare me Kosovën nga ana e Serbisë.
Siç u raportua, në rrugët që çojnë nga Serbia për në Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak, serbë edhe të maskuar, nën shoqërinë e policisë serbe, kishin dalë afër kufijve duke mos lejuar kalimin e shtetasve me dokumente të Republikës së Kosovës.