MPB-ja njofton se tri pikat kufitare me Serbinë vazhdojnë të jenë të mbyllura
Tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdojnë të jenë të mbyllura ka njoftuar Ministria e Brendshme, përmes Qendrës Kufitare për Menaxhim Kufitar.
Bërnjku, Merdari dhe Jarinja janë mbyllur të premten në mbrëmje, pasi një grup protestuesish serb janë mbledhur në kufit në anën e Serbisë dhe kanë protestuar, ndërsa Kosova ka akuzuar se persona me maska po legjitimojnë çdo veturë e cila nuk ka targa serbe që po kalon andej, e gjitha kjo po bëhet në sy të policisë serbe, transmeton Zeri.info.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pikë kalimi kufitar në Merdar është mbyllur pas veprimeve të njëjta si në Bërnjak të ekstremistëve të maskuar serbë brenda territorit të Serbisë.
“Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdar”, ka shkruar Sveçla mbrëmë. /Zëri