Shoqatat serbe bllokojnë rrugët pranë kufirit me Kosovën, persona të maskuar shihen në pjesën serbe
Përfaqësues nga disa shoqata serbe kanë bllokuar rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë.
Grupe të vogla njerëzish u mblodhën pasditen e 6 shtatorit në kalimet kufitare në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, ku ndaluan kamionë dhe drejtues makinash me dokumente të Kosovës.
Bllokimi i rrugëve u bë pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës.
Pas vendosjes së bllokadave, institucionet e Kosovës thanë se e kanë mbyllur pikat kufitare Bërnjak dhe Merdare, për shkak se persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po ndalojnë dhe legjitimojnë udhëtarët.
Rasha Rojeviq, kryetar i Shoqatës së Qytetarëve të Mitrovicës së Kosovës – njërën nga tetë shoqatat që kanë organizuar bllokadat, tha se udhëtarët e automjeteve me dokumente “vetëm kosovare nuk do të lejohen të kalojnë” kufirin në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë javën e kaluar.
“Të gjithë ata që kanë vetëm dokumente të Kosovës nuk do të mund të kalojnë. Pse? Njerëzit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nuk mund të ngasin me leje mjeti të lëshuara nga Republika e Serbisë. Kjo është thjesht një përgjigje e njëjtë me mënyrën se si [Kryeministri i Kosovës Albin] vepron në Kosovë”, tha Rojeviqi. /REL