Gërvalla për Bërnjakun: E mbyllur derisa të largohen të maskuarit e të kthehet lëvizja e lirë
Aktuale
September 06, 2024 - 22:17
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe sipas saj, pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë.
Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se pika kufitare në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri sa të largohen të maskuarit dhe siç tha ajo, të kthehet lëvizja e lirë.
“Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, ka shkruar Gërvalla.