Shqiptarët në Shqipëri jetojnë në shtëpi të vogla, shumica e banesave nën 69 m2

Shqiptarët në Shqipëri jetojnë në shtëpi të vogla, shumica e banesave nën 69 m2

Aktuale September 06, 2024 - 20:08

 

Shqiptarët jetojnë në shtëpi të vogla dhe pa hapësirat e nevojshme për çdo pjesëtar të familjes.

Të dhënat e Cens-it 2023 tregojnë se nga 726,325 banesa të banueshme në të gjithë Shqipërinë, 533 mijë ose 65% e totalit janë midis 40-69 metër katrorë.

Nga banesat që janë në shfrytëzim, 23.7% e tyre janë 70-99 metër katror dhe 10% janë mbi 100 metër katrorë.

Por ajo çfarë vihet re është se me kalimin e viteve, sipërfaqja e banimit është rritur.

Në Censin e vitit 2011, në të gjithë vendin u numëruan 709,865 banesa në shfrytëzim, nga të cilat 75% ishin nën 69 metër katror, 17% deri në 99 metër katror dhe 7,7% mbi 100 metër katror.

Një tjetër fakt është se numri i shtëpive të banueshme nën 40 metër katror ka pësuar rënie të ndjeshme.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2011 kishte 218 mijë banesa që ishin në shfrytëzim nën 40 metër katror, ndërsa më 2023 janë 127,552 të tilla. Nga stoku i banesave që janë në shfrytëzim ende një pjesë e madhe e tyre, rreth 16,6 % nën 40 metër katror.

Sipas të dhënave të Cens-it 2023, në të gjithë vendin numërohen 431 mijë banesa në pallate nga të cilat 170,264 janë bosh. Një pjesë e madhe e tyre janë në qytetet e mëdha të vendit dhe sidomos në Tiranë dhe Durrës.