Varrezë e mundshme masive pranë Novi Pazarit, Gara: Mbetet sfidë mungesa e bashkëpunimit nga Serbia
Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë.
Gara ka thënë se nga mesi i muajit shtator do të mund të dihet data për fillimin e gërmimit apo të vlerësimit të lokacionit.
Por ai ka theksuar sërish se mungon bashkëpunimi nga ana e palës serbe.
“Informacionet për këtë lokacion janë siguruar nga dëshmitarë të ndryshëm dhe përgatitjet në terren kanë filluar më 26 gusht. Ajo çfarë mbetet shqetësuese është mungesa e gatishmërisë së palës serbe për bashkëpunim në këtë proces”, ka deklaruar Gara.
Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Në territorin e Serbisë, që nga fillimi i viteve 2000, janë zbuluar pesë varreza masive me gati një mijë trupa.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. /dukagjini