Deputeti gjerman i kundërpërgjigjet Vuçiqit me një foto me ambasadorin e Kosovës, Faruk Ajeti
Deputeti gjerman i kundërpërgjigjet Vuçiqit me një foto me ambasadorin e Kosovës, Faruk Ajeti
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, dje e paralajmëroi presidentin serb, Alleksandar Vuçiq për deklaratat e zëvendësit të tij, Alleksandar Vullin në raport me Rusinë.
Sipas Roth, nëse deklaratat e Vullinit janë qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë, miqësia me kriminelët mund ta çojnë në Kremlin por jo në BE, raporton klankosova.
“Zoti president Alleksandar Vuçiq, nëse ky është qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Serbisë, bisedimet për anëtarësim në BE po bëhen gjithnjë e më të pakuptimta. Miqësia me kriminelët e luftës + çmontimi i demokracisë mund të çojë në Kremlin, por definitivisht jo në BE”, tha Roth gjatë ditës së djeshme.
E sot, “i pandehuri” Vuçiqi u prononcua për këtë çështje.
Duke iu përgjigjur pyetjes së “Novosti” për deklaratën e Rothit, Vuçiqi thotë se nuk është aty për t’i dhënë llogari deputetit gjerman. Para se të përgjigjej, Dodiku pyeti se “kush është ai hajvan”, duke iu referuar Rothit.
“Nëse do të dëgjoja Rothin, e ashtuquajtura Kosova do të ishte shtet dhe anëtare e OKB-së shumë kohë më parë, po të kisha dëgjuar Rothin, Serbia nuk do të kishte ekzistuar ekonomikisht, po ta kisha dëgjuar, Republika Sërpska nuk do të ekzistonte shumë kohë më parë. Këtë po ua them – disa njerëz janë të zemëruar për një gjë, të tjerët janë të zemëruar për diçka tjetër, çfarë duhet të bëj me ta? Kam pasur një bisedë shumë të mirë me Olaf Scholz, dhe krahasimi i Scholzit dhe Rothit nuk ka shumë kuptim. I uroj gjithë të mirat, shumë suksese në jetë. Shyqyr qe po largohet nga politika se ka qene shumë i pasuksesshëm dhe i uroj të mirat për çdo gjë tjetër në jetë. Nuk ia ka vlejtur as të merret me politikë dhe mirë që nuk do të merret më”, tha Vuçiqi.
E pas kësaj deklarate të Vuçiqit, ka reaguar sërish deputeti gjerman, duke postuar në platformën X një fotografi me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Aty, ai thotë se do të vazhdojë të flasë kundër nacionalizmit, autoritarizmit dhe robërisë së Putinit.
“Ballkani Perëndimor do të mbetet një çështje e afërt në zemrën time. Aty gjeta shumë miq. Ambasadori i Kosovës Faruk Ajeti është njëri prej tyre. Do të vazhdoj të flas kundër nacionalizmit, autoritarizmit dhe robërisë së Putinit. Ju premtoj”, shkroi Roth.