Numër i shtuar i policëve në Jarinjë, situata aktualisht e qetë [foto]
Aktuale
September 06, 2024 - 19:04
Një numër më i shtuar i policëve janë parë të premten në Jarinjë, pas paralajmërimeve të protestave të serbëve në pikat kufitare nga ana e Serbisë.
Aktualisht në këtë pikë kufitare situata është e qetë me numër më të vogël të qarkullimit, derisa Policia e Kosovës po i njofton secilin qytetarë që po kalon në pjesën e Serbisë përmes pikës kufitare në Jarinjë, për protestën e paralajmëruar, raporton Zeri.info.
Kjo protestë ishte paralajmëruar nga kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, i cili ditë më parë ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës – Merdar, Jarinje dhe Bërnjak. /Zëri