Sylejmani: Investimi në Policinë e Kosovës, investim në sigurinë e vendit
Rrahman Sylejmani, ish-kolonel i Policisë së Kosovës, ka thënë se Polica e Kosovës është forcë efikase, forcë policore shumetnike e demokratike, e gatshme të ballafaqohet me të gjitha llojet e sfidave duke theksuar se investimi në të është investim në sigurinë e vendit, investim në luftën kunër krimit.
Sylejmani, tha se një çerek shekulli nuk është pak për të krijuar një forcë policore që është nisur nga zeroja dhe është krijuar një forcë respektive me të gjitha mekanizmat që i nevojitet, “duke u bërë një forcë efikase, e gatshme të ballafaqohet me të gjitha llojet e sfidave,që tashmë po ballafaqohet.”
“Shumëçka është përmbyllur, shumëçka është arritur, shumëçka është funksionalizuar, por fatkeqësisht, ende nuk janë zgjidhur disa çështje e mbi të gjitha ajo e mirëqenies së tyre”, tha Sylejmani, derisa qartësoi se policët duhet ta kenë sigurimin shëndetësor dhe atë jetësor.
Ai tutje tha se me rëndësi është që Policia e Kosovës të përmbushet me resurset njerëzore, që të rinjtë të motivohet për t’iu bashkuar kësaj force. “Tani ka rënë interesimi i të rinjve për të aplikuar në forcat policore”, tha ai.
Më tej Sylejmani tha se investimi në Policinë e Kosovës është investim në sigurinë e vendit, investim në luftën kundër krimit, në parandalimin e krimit.
Ai u shpreh kritik edhe në mosmiratimin e ligjit për pensionin, që është i draftuar më shumë se 7 vjet.
Lidhur me situatën e sigurisë në veri të vendit, ku aktuale është protesta e paralajmëruar nga serbët dhe mbylljet në pikat kufitare Kosovë-Serbi, Sylejmnai tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës edhe më parë janë ballafaquar me sfida të tilla.
“Viteve të fundit Policia e Kosovës është ballafaquar me të gjitha llojet e sfidave. Por bllokadat janë paralajmëruar brenda territorit të Serbisë, sepse brenda territorit tonë nuk tolerohen bllokadat e rrugëve”, tha Syeljmani, derisa shtoi se nuk përjashtohet mundësia e përsëritjes së ndonjë akti sikurse ajo e Banjskës, sepse sipas tij kriminelët ende nuk janë dënuar për atë akt terrorist dhe "mund të trimërohen të përsërisin të njëjtin veprim". /rtk