Ankohet Petkoviqi: Lajçaku e përjashtoi marrëveshjen për urën e Ibrit nga dialogu i Brukselit
Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është ankuar sot në lidhje me qëndrimin e të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili sot gjatë vizitës në Kosovë tha se ura e Ibrit duhet të hapet, por në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Petkoviqit kjo s’i ka pëlqyer, derisa e ka pyetur Lajçakun se çfarë ka ndryshuar në qëndrimet e tij nga gushti e deri më sot, duke kujtuar se “BE-ja kishte thënë se hapja e urës mund të zgjidhej vetëm me dialog dhe sot dëgjojmë nga Lajçaku se kjo çështje varet vetëm nga marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, transmeton Zeri.info.
Petkoviqi, përmes platformës “X”, ka pyetur se pse Lajçaku po e nxjerr marrëveshjen për urën nga dialogu dhe deri dje, kujton ai, këtë çështje e kishte shpallur si temë kryesore të diskutimit në Bruksel.
“Çfarë ka ndryshuar në qëndrimin e Lajçakut për urën nga gushti e deri më sot? BE-ja tha se hapja e urës mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut, siç tregon edhe postimi i Lajçakut në shtojcë. Sot dëgjojmë nga ai se kjo çështje varet vetëm nga marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha Petkoviqi.
Ai theksoi se kjo shkelje e parimeve i ka tejkaluar të gjitha masat.
“Serbët të cilët janë vitalisht të interesuar për statusin e urës në Ibër dhe Beogradi, i cili është palë në negociatat për urën, janë të përjashtuar në mënyrë të njëanshme, dhe Prishtina e QUINT-i janë përfshirë në vendimin për urën. Kjo shkelje e parimeve i tejkaloi të gjitha masat. Dhe pastaj pyesni veten pse nuk ka përparim në dialog”, përfundoi Petkoviqi. /Zëri