Bllokimi i kufijve, kryetarja e Preshevës fton bashkësinë ndërkombëtare të parandalojë përshkallëzimin e situatës

Bllokimi i kufijve, kryetarja e Preshevës fton bashkësinë ndërkombëtare të parandalojë përshkallëzimin e situatës

Aktuale September 06, 2024 - 14:29

Sot është paralajmëruar një protestë në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, ku protestuesit serbë kanë paralajmëruar bllokimin e këtyre pikave kufitare.

Në lidhje me këtë ka reaguar kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, e cila ka thënë se rrugët janë simbol i lidhjes dhe bashkimit mes njerëzve dhe se çdo bllokim rruge nuk është vetëm një pengesë fizike, por një mesazh i qartë i imponimit të izolimit dhe distancimit edhe më të madh.

Ajo u ka bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që të reagojnë për të parandaluar këto veprime, transmeton Zeri.info.

“Si kryetare e Komunës së Preshevës, edhe pse vendkalimet në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë aktualisht nuk janë të bllokuara, unë jam thellësisht e shqetësuar me veprimet që kanë ngritur tensione dhe destabilitet në rajon. Komuna jonë ka një numër të madh studentësh dhe punëtorësh që çdo ditë udhëtojnë drejt Kosovës. Çdo akt i mbylljes së dhunshme, qoftë përmes protestave apo veprimeve të tjera, përbën një rrezik real që mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha”.

“Kjo situatë vetëm sa rëndon më tej pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme dhe duke i shtuar ndjenjën e izolimit një komuniteti që tashmë përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe shoqërore”.

“Ftojmë me urgjencë ambasadat e SHBA-së, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate. Duhet të angazhohemi për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve për lëvizje të lirë dhe jetesë të qetë”, shkroi Sinani. /Zëri