Memli Krasniqi publikon videon e rrallë të Thaçit në 25-vjetorin e formimit të Policisë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka shpërndarë një video të ish-presidentit Hashim Thaçi, e realizuar në vitin 1999.
Ai thotë se më 6 shtator të vitit 1999 Thaçi inauguroi Shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici.
“Në qershor të vitit 1999, Hashim Thaçi me shokët e tij u kthye fitimtar nga frontet e luftës për çlirimin e Kosovës. I vetëdijshëm se pas lirisë rruga për ngritjen e shtetit sapo kishte filluar, me 6 shtator të po atij viti, Hashim Thaçi, si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici të Kosovës. Që nga ajo ditë, me dhjetëra-mijëra qytetarë të Kosovës kanë shërbyer në uniformën e vendit të tyre, duke garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin në vend. Prandaj sot, në 25 vjetorin e themelimit të Policisë sonë, u shpreh mirënjohjen më të thellë grave dhe burrave që ndër vite kanë shërbyer me nder, përgjegjësi dhe krenari. Kosova, si një histori e bukur suksesi, përveç lidershipit të saj të duhur politik në momentet më të rëndësishme, është meritë edhe e policisë së mrekullueshme të vendit tonë. Urime të gjithë policëve tanë. Jemi me ju dhe krah jush në çdo hap!”, shkroi Krasniqi.