Kryediplomati turk: Mbështesim Kosovën për të arritur pozitën e merituar në arenën ndërkombëtare
Foto:Laura Hasani

Kryediplomati turk: Mbështesim Kosovën për të arritur pozitën e merituar në arenën ndërkombëtare

Aktuale September 06, 2024 - 11:34

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, është shprehur se ndihet si në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Kjo deklaratë e tij erdhi në konferencën e përbashkët me homologen e saj të Kosovës Donika Gërvalla, pas takimit që zhvilluan, raporton Klankosova.tv.

“Dua ta shpreh kënaqësinë time që ndodhem në Prishtinë dhe në të vërtetë veten e ndiej si në shtëpi”, u shpreh Fidani.

Fidani thotë se populli i Kosovës nuk është vetëm mik i Turqisë, por janë vëllezërit e motrat e tyre.

“Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, janë edhe vëllezërit e motrat tona. Ne duam që lidhjet e palëkundura mes nesh të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Ndër të tjera, ministri i Jashtëm deklaron se Turqia ka mbështetur dhe mbështet Kosovën në arritjen e saj të merituar në arenën ndërkombëtare.

“Folëm dhe për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe se çfarë mund të bëhet për arritjen e stabilitetit në rajon. Ne si Turqi mbështesim Republikën e Pavarur të Kosovës dhe vlerësojmë se ajo të qëndrojë në këmbët e saja. Ne kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për ta arritur pozitën e saj të merituar në arenën ndërkombëtare, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë. Forcat e NATO-s dhe KFOR-it kanë rol të rëndësishëm në Kosovë në vendosjen e sigurisë. Është krenari që shohim komandantin tonë që vazhdon të ketë suksese këtu në Kosovë”, tha Fidani.

“Qëllimi ynë është të sjellim një vizion gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona, sigurinë, politikën dhe ekonominë i konsiderojmë tri shtylla kryesore të bashkëpunimit tonë”.