Këshilli Gjyqësor: Miratohet raporti për rastin e Blerim Ramadanit
Këshilli Gjyqësor në seancë urgjente shqyrtoi dhe me 12 vota “për” miratoi raportin për lëndët e Gjykatës Penale që kanë të bëjnë me paraburgimin ekstradues të pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, dhe vendimet për marrëveshje me gjykatësin suprem, Naqe Georgiev, dhe anëtarin e Këshillit të Prokurorëve Publik, Ixhet Memeti, të cilët u deklaruan fajtor për marrje ryshfeti.
Komisioni pranë Këshillit Gjyqësor që e ka përgatitur raportin, vetëm e konstatoi gjendjen faktike, ndërsa tha se nuk ka pasur për detyrë të japë konkluzione apo rekomandime për veprime të mëtutjeshme.
Sipas raportit, në rastin e Blerim Ramadanit është caktuar masa e arrestit shtëpiak pa shtuar shkaqe shtesë nga ai i vendimit paraprak kur i është shqiptuar paraburgimi efektiv.
Në rastin e Georgievit dhe Memetit nuk jepen arsye për rrethanat në të cilat u morën vendimet.
“Në këtë lëndë, gjykatësi në procedurën paraprake ka shqiptuar vendim për masën e arrestit shtëpiak ku ka dhënë arsye, por jo të ndryshme nga ato kur ka shqiptuar masën e paraburgimit. Në atë vendim ai nuk ka caktuar mënyrën e mbikëqyrjes nga ana e MPB-SPB-Shkup, Çair. Në të dy lëndët e tjera marrëveshjet mes Prokurorisë dhe të akuzuarve, në bazë të Ligjit për procedurë penale, gjykatësit janë të obliguar të vërtetojnë nëse dëshmitë e siguruara të rëndësishme për zgjedhjen dhe caktimin e sanksionit penal arsyetojnë apo nuk arsyetojnë shqiptimin e sanksionit të propozuar. Në të dyja rastet nuk janë dhënë arsye për këto rrethana”, deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Kryetarja Vesna Dameva theksoi se nuk ka vërejtje për përmbajtjen e raportit dhe lavdëroi Komisionin për efikasitetin e treguar gjatë përpilimit të tij.
Këshilli Gjyqësor formoi Komision për lëndën e gjykatësit, Pajazit Pajaziti, i cili liroi në arrest shtëpiak pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin, në pritje të vendimit për ekstradimin e tij në Serbi, ndërsa ai gjatë arrestit shtëpiak u arratis në Kosovë.
Ndërkohë komisioni shqyrtoi edhe lëndën e gjykatësit suprem, Georgiev, dhe anëtarit të Këshillit të Prokurorëve, Ixhet Memeti, të cilët u deklaruan fajtorë për marrje ryshfeti në lidhje me rastin kundër ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev. Në këtë rast, Ixhet Memeti u pajtua me gjykatën për dënimin me burgim me kusht, ndërsa gjykatësit, Georgiev, iu shqiptua dënimi prej 3 vjet burg dhe ndalim për ushtrimin e profesionit.