Paralajmërimi për bllokim të pikave kufitare me Serbinë, Policia e Kosovës me plan operativ
Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ, pas paralajmërimeve nga i ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada”, për bllokim rrugësh që çojnë në pikëkalimet kufitare Merdar, Jarinjë dhe Bërnjak, të premten, nga ora 18:00 në territorin e Serbisë.
Nga ky këshill kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunat e veriut, kthimin e serbëve në institucione dhe që veriu i Kosovës të kontrollohet nga KFOR-i.
Një paralajmërim i të ashtuquajturit “Këshilli Organizativ për Bllokada” në Serbi, ka bërë të ditur ditë më parë se do të fillojnë nga 6 shtatori t’i bllokojnë rrugët nga ana e Serbisë e që çojnë në pikëkalimet kufitare me Kosovën.
Kjo bllokadë, sipas tyre, do të zgjasë derisa Policia e Kosovës do të tërhiqet nga veriu i Republikës.
Lidhur me këtë, nga Policia e Kosovës, në veri, kanë thënë se, si çdo herë, edhe tani kanë plan veprimi.
Zëvendësdrejtori i Policës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se sipas informacioneve, bllokimi i këtyre rrugëve në Serbi, nëse ndodh, pritet të fillojë në orën 18:00.
“Gjithmonë kur kemi informacione se diçka mund të ndodhë ne kemi planet operacionale nuk na zë diçka në befasi në rast se kemi bllokim të pikave kufitare …”, tha Elshani, raporton RTK.
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi dhe të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet mes Kosovës e Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Po ashtu, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka publikuar numrat kontaktues në rast të ndonjë pengese të shkaktuar nga kjo bllokadë.
Sipas QKMK-së, autoritetet kosovare, në bashkëpunim me partnerët, kanë marrë veprimet e nevojshme për menaxhim të situatës së paralajmëruar dhe kanë inkurajuar qytetarët të informohen vetëm nga burimet zyrtare të Institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.