Këshilltari i Kurtit i përgjigjet ambasadorit gjerman: Kosova ka zgjidhje kompromisi, Serbia po kushtëzon
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Jeton Zulfaj, i është përgjigjur ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, pas komenteve të këtij të fundit se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk ka arritur të bindë kryeministrin Kurti për një kompromis në lidhje me CEFTA-n.
Zulfaj ka thënë se takimi mes kryeministrit Kurti dhe emisarit gjerman është mbajtur sot, ndonëse ky takim nuk është bërë publik nga kabineti i kryeministrit.
“Kryeministri Kurti u takua sot me të dërguarin special gjerman Manuel Sarrazin për të diskutuar mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA. Pas tre vitesh bllokadë nga Serbia brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tani ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk kanë lidhje mes tyre. Masat e Kosovës nuk lidhen me tregtinë, por burojnë nga kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe janë zbatuar jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, ka shkruar Zulfaj në platformën X.
Today, PM Kurti met with German SE Manuel Sarrazin to discuss the possibilities of unblocking decision-making in CEFTA.
— Jeton Zulfaj (@JetonZulfaj) September 5, 2024
After three years of Serbia’s blockade within CEFTA, we have a compromise solution. Serbia has now conditioned this solution with the removal of Kosova’s…
“Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejshëm”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Rohde ka thënë se Sarrazin vizitoi sërish Kosovën për t’i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të bëjë kompromis për marrëveshjen për CEFTA-s, por pa sukses.
Ambasadori i Gjermanisë ka tërhequr vërejtjen se nëse është e nevojshme do të vazhdohet tutje pa Kosovën.
Të enjten e kaluar, emisari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka shprehur shqetësimet e tij pas përfundimit të vizitës në Kosovë, duke theksuar mungesën e gatishmërisë për kompromis dhe lëshime nga ana e Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për media, Sarrazin tha se është i brengosur që nuk ka parë rezultate konkrete për avancimin e lirisë së lëvizjes, mallrave dhe parasë në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Ideja është të sjellë rajonin e Ballkanit Perëndimor në parimin e partnerëve të barabartë së bashku drejt Bashkimit Evropian. Për këtë, ne kemi nevojë për bashkëpunim rajonal dhe kemi nevojë që rezultatet konkrete për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të jepen nga njerëzit. Rezultatet që tregojnë se kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm, për këtë është i rëndësishëm progresi tregtar, ekonomik, bashkëpunimi”, kishte deklaruar Sarrazin.