Pas intervistimit nga policia në veri, flet Simiq: Nuk kam bërë asgjë të kundërligjshme
Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe drejtor i Fondit serb për pensione dhe sigurime për Kosovën, është intervistuar sot në stacionin Policor në Veri të Mitrovicës, pas mbylljes së institucioneve ilegale në veri të Kosovës, pjesë e të cilave ishte edhe ai.
Simiq, pas intervistimit, ka deklaruar se të gjithë të ftuarit i janë përgjigjur thirrjes për intervistim.
“Nuk kemi arsye të mos i përgjigjemi ftesës për intervistim. Jemi absolutisht të sigurt se nuk kemi bërë asgjë kundër askujt. Jam krenar që kam qenë pjesë e fondit [serb për pensione e sigurime në Kosovë] dhe iu kam ndihmuar qytetarëve të realizojnë të drejtat e pensioneve…”, deklaroi Simiq, raporton Telegrafi.
Ai më tej tha se mendon se ka bërë vepër të mirë.
“Nuk kam bërë diçka që është e kundërligjshme dhe që është kundër ndokujt. Jam i sigurt se kjo ka lidhje me pozicionet tona brenda Listës serbe dhe se ky është një formë e presionit, pasi po iu afrohemi zgjedhjeve parlamentare në Kosovë”.
Ai përsëriti se do të jetë i qasshëm dhe se gjithmonë do t’i përgjigjet thirrjeve të organeve të rendit.
Policia e Kosovës të enjten ka intervistuar edhe Ivan Todosijeviqin, pasi i njëjti dyshohet për falsifikim të dokumenteve në ish-komunat paralele që u mbyllën ditë më parë.
Institucionet e Kosovës i kanë mbyllur një javë më parë pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.
Institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës”, tha Krasniqi.