Hasani: Ndryshimi i administratës amerikane, arsyeja e moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se një prej arsyeve kryesore se pse Marrëveshja e arritur katër vjet më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë nuk është zbatuar plotësisht, është ndryshimi i administratës amerikane.
“Unë besoj që arsyeja primare ka qenë ndërrimet në administratën amerikane dhe ka shumë gjasë që ajo marrëveshje të ketë qenë e lidhur ngushtë për personin e zotit Grenell dhe nuk ka arritur të futet në mekanizmat e administratës amerikane”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai u pyet se si ka dalluar qasja e administratës Biden karshi raporteve Kosovë- Serbi.
“Po të shikohen letrat, marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit unë mendoj që Kosova është dëmtuar sepse janë pranuar nga Kurti, sigurisht në bazë të prononcimeve publike ka qenë pjesë e BE-së dhe SHBA-së, i janë bërë shumë koncesione Serbisë dhe konteksti i luftës në Ukrainë ka përmbysur çdo gjë dhe statusi ndërkombëtar juridik i Kosovës ka degraduar sepse është hequr nga rendi i ditës njohja reciproke dhe e dyta është pranuar paragjykimi, në mënyrë shprehimore e drejta e Serbisë për ta paragjykuar statusin e Kosovës. Prandaj administrata Biden unë mendoj që për aq sa ka bërë presion në Qeverinë e Kosovës për këto dy marrëveshje, ka qenë politikë e gabuar sepse koncesionet që i janë bërë Serbisë në raport me Kosovën, nuk besoj në afat gjatë sjellin fryte që kjo administratë, përgjithësisht perëndimi pret nga Vuçiqi”, tha ai.
Hasani tha se ende nuk është i sigurt orientimi euroatlantik i Serbisë.
Kur u pyet nëse rikthimi i presidentit Trump do të kthente vëmendjen te Marrëveshja e Uashingtonit, Hasani tha se është vështirë të spekulohet.
Jam shumë i sigurt që administrata Trump 2 do ta ndiqte të njëjtin koncept që të merret me çështje ekonomike, me stabilizimin ekonomik të dy vendeve të rajonit”, tha ai.
Sa i përket fitores së mundshme të Harris, ai tha se administrata amerikane do të ketë qasje të njëjtë ndaj marrëdhënieve Kosovë- Serbi.
“Vazhdimësi e kësaj çfarë kemi parë deri tash”, tha ai.