Haradinaj akuzon Kurtin se po i bën presion Policisë: Dikur i gjuante me gurë, tash po i instrumentalizon
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar Policinë e Kosovës në përvjetorin e themelimit. Ai ka thënë se paga minimale e policëve do të jetë 1 mijë euro dhe se do të bëhet sigurimi shëndetësor.
“Kur më 6 shtator 1999 u themelua Policia jonë, filloi shtetndërtimi në fushën e sigurisë. Nesër bëhen 25 vjet. E uroj Policinë në 25-vjetorin e themelimit! Do të kujtojmë përgjithmonë policët e rënë në detyrë. Kemi shumë punë për ta forcuar dinjitetin, kushtet dhe pajisjet e Policisë sonë. Prioritet do të jetë paga minimale prej 1.000 euro brenda Policisë dhe sigurimi shëndetësor. Modernizimi i pajisjeve të Policisë do të bëhet gjithashtu”.
Haradinaj ka shkruar se Policia e Kosovës nuk e ka kujdesin e Qeverisë, por presionin politik mbi të.
Ai ka shtuar se Kurti i sulmoi me gurë sa ishte në opozitë dhe se tash po e instrumentalizon për interesa elektorale.
“Policia sot nuk e ka kujdesin e Qeverisë, por e ka presionin politik mbi të! Kurti edhe i sulmoi me gurë sa ishte në opozitë, edhe po e instrumentalizon Policinë për interesa elektorale sa është në Qeveri. Ai nesër në 25-vjetorin e Policisë mund t’ju mbajë një fjalim prekës, por prapa fjalëve vetëm mashtrimin ka qëllim. Për pak javë kjo do të përfundojë. Policia është e Kosovës. Qëndroni të tillë. Mos u bëni instrument në duar të pasigurta!”, shkruan Haradinaj.