Kurti takohet me shefin e ri të Zyrës së BE-së: Kosova, e përkushtuar për t’i kryer reformat e nevojshme për anëtarësim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Në këtë takim të parë ndërmjet tyre kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ofroi bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022, është e përkushtuar për të kryer reformat e nevojshme për anëtarësim.
“Plani i Rritjes së BE-së është përgjigjja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave”, ka thënë Kurti.
Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit thuhet se bashkë diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.
“Kryeministri Kurti foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët”.
“Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë. /Zëri