Kurti pret në takim kryetarin e Mitrovicës së Veriut, nuk përmendet ura
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi pritën sot në ballkonin e hapur, për një mëngjes pune, kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren Katarina Adançiq dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune.
Sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se temat qendrore ishin qeverisja komunale, arritjet, sfidat dhe bashkëpunimi me nivelin qendror.
Por në njoftim nuk është përmendur nëse është diskutuar për një nga çështjet më të përfolura kohëve të fundit, siç është paralajmërimi për hapjen e urës mbi Ibër, transmeton Zeri.info.
Aty thuhet se Kurti dhe ministrat Rashiq dhe Krasniqi u njoftuan rreth punëve të drejtorive, shërbimeve komunale të cilat po shtohen në vazhdimësi, investimeve në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike dhe bashkëpunimit me agjencitë qendrore.
“Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Biznese ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë takimit thuhet se u diskutua edhe rreth mundësive për bashkëpunime të reja përfshirë ato ndërmjet komunave në veri të vendit dhe për projekte të reja për çka është e nevojshme mbështetja e Qeverisë.
“Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Ai i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Adançiq, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim. /Zëri