Vuçiq: Faleminderit Putin për ftesën, por kemi mysafirë të rëndësishëm nga jashtë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dhjetë ditë më parë ka marrë ftesë nga presidenti i Rusisë Vladimir Putin për t’iu bashkuar samitit BRICS, i cili do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor, në Kazan. Por ai sot ka thënë se nuk mund të shkojë, pasi do të ketë mysafirë të rëndësishëm nga jashtë.
“Kemi shumë vizita të rëndësishme, siç thonë fëmijët – një turmë në zonën e penalltisë”. Faleminderit njerëzve të BRICS-it për ftesën dhe presidentit Putin. Ne kemi gjithashtu Nju-Jorkun dhe tashmë e di se do të kem bisedime me të paktën gjashtë presidentë dhe të paktën shtatë ose tetë kryeministra në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, u tha Vuçiqi gazetarëve.
Ai po ashtu tha se Beogradi më 20 tetor feston 80-vjetorin e çlirimit, duke shtuar se atëherë do të organizohen programe dhe plane të shumta.
“Mos harroni se 80-vjetori i çlirimit të Beogradit është më 20 tetor dhe ishte Ushtria e Kuqe ajo që në pjesën më të madhe, me ndihmën e trupave tona, çliroi Beogradin dhe solli lirinë në vendin tonë së bashku me Rusinë dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në çlirim”, tha Vuçiqi.