Osmani për Nënë Terezën: Me krenari e identifikoi veten si shqiptare
Sot janë bërë 27 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes Shën Tereza.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës, për të cilën thotë se me krenari e ka identifikuar veten si shqiptare para botës, transmeton Zeri.info.
Osmani ka shkruar se përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane.
Shkrimi i plotë i presidentes Osmani:
“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës...” - Shën Tereza
Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit.
Nënë jonë Terezë mbetet një fanar dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbush zemrat me krenari e frymëzim.
Përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane.
Në 27-vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë.