Kurti: Ndërmjetësimi ofron zgjidhje efikase në rastet e mosmarrëveshjeve
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e ndërmjetësimit si një mjet, sipas tij, efikas dhe i shpejtë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ai ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Kurti, përmes një postim në Facebook, tha se në kohën kur gjykatat tona përballen me një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, ‘Ndërmjetësimi’ ofron një zgjidhje efikase dhe të shpejtë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Në Republikën e Kosovës, nga viti 2021 deri në vitin 2023, shifrat e rasteve në Ndërmjetësim kanë shënuar rritje të dukshme, aq sa vetëm nga gjykatat, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ndërmjetësim, janë referuar 5,424 raste penale dhe 6,633 raste civile”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se statistikat tregojnë se rreth 90% e rasteve të ndërmjetësimit në Kosovë përfundojnë me sukses, duke ofruar një alternativë efektive ndaj proceseve të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore.
“Ky progres karakterizohet sidomos me rastet civile. Përderisa në vitin 2021 në ndërmjetësim ishin referuar 864 raste civile, ky numër ishte rritur në 1673 raste të kësaj natyre në vitin 2022, ndërsa ishte shumëfishuar në 4096 raste në vitin 2023. Thënë në përqindje i bie që viti 2022 ka shënuar rritje të referimit të rasteve civile për 93.6 për qind në raport me vitin 2021, ndërsa viti 2023 rritje të referimit të rasteve civile prej 144.8% në raport me vitin 2022, ose 374% në raport me vitin 2021. Kurse trendi i rritjes së rasteve të referuara në Ndërmjetësim gjatë këtij viti pritet të tejkalojë edhe më shumë vitet paraprake”, ka potencuar i pari i ekzekutivit.
Sipas tij, ky progres i Ndërmjetësimit është rezultat i politikave të zbatuara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat kanë siguruar një procedurë të shpejtë dhe me kosto të ulët për qytetarët tanë.
“Ndërmjetësimi është zgjedhja e mençur për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Kurti.