Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit, më e mira që prej pavarësisë së Kosovës
Ish-kryeministri i vendit, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar nga ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, katër vjet më parë në Shtëpinë e Bardhë, mbetet më e mira që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas Hotit, Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje në interes të shtetit dhe sipas tij, e konsolidon shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare me njohjen nga Izraeli që erdhi më 4 shtator të vitit 2020.
“Njohja nga Izraeli nuk është vetëm një plus një njohje në listën e njohjeve që e kemi pasur. Në veçanti është mesazhi që i është dhënë shteteve të tjera jo njohëse të cilat ende kanë dilema”.
“Mesazhi që i është dhënë nga Shtëpia e Bardhë që Kosova është këtu përgjithmonë dhe duhet ta njihni, ky është mesazhi që është dhënë përmes njohjes nga Izraeli”, tha Hoti në Klan Kosova.
Ai më tej tha se ka pasur skeptikë në skenën politike në Kosovë, ku tha se në raportimin që ai e pati bërë në kuvend pas marrëveshjes, i janë sulur, sipas tij, me fjalorin më të papërshtatshëm edhe politikisht por edhe njerëzor.