“Për çështje elektorati”, shteti vendosi stema në veri ende pa përfunduar hetimet
Në pesë objekte të ish-strukturave paralele të marra në dorë tashmë nga Policia e Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë shiritat e policisë e madje edhe vet zyrtarët policor.
Ani se ende objekt hetimi i Policisë e organeve të drejtësisë, dy ditë pas shteti u ngut e aty u vendosën edhe disa tabela që tregojnë se për cilat institucione janë destinuar këto objekte.
Ta zëmë, tashmë ish-objekti i Komunës Paralele të Mitrovicës veriore ka tri logo të tri ministrive në vend.
Por, dyert vazhdojnë të jenë të mbyllura.
E njëjta situatë është në çdo objekt të mbyllur e hetimet për materialet që janë gjetur akoma nuk kanë përfunduar dhe aktualisht ka dyshime për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, për çka edhe janë ftuar disa persona për t’u intervistuar.
“Kemi rast të inicuar dhe bashkë me Prokurori jemi duke e hetuar dhe tash do të shohim se çfarë elemente të veprës penale ka, a ka falsifikim të dokumentacionit apo prishje të rendit kushtetues. Për neve ka qenë me rëndësi që pronë ka qenë e Mitrovicës së Veriut, ka pas paralajmërime që ajo do të shndërrohet në qendër regjionale të patentë shoferëve, nuk është çudi që kemi ndërhy në atë vend”, ka deklaruar për Dukagjinin, Veton Elshani – Zv.Drejtor i Policisë për rajonin në veri të Mitrovicës.
Televizioni ka pyetur Ministritë të cilat i kanë të vendosura logot e tyre, mbi çfarë baze ka ndodh kjo por edhe çfarë plane kanë por përgjigjet kanë munguar.
E vetmja Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shkurt ka kthyer një përgjigje se për këtë çështje duhet pyetur Ministria e Punëve të Brendshme.
“Lidhur me pyetjen e pranuar nga ana juaj, Ju mund të drejtoheni në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thuhet nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Por, që nga e diela Ministria që e udhëheq Xhelal Sveçla nuk ka kthyer përgjigje e të heshtur kanë qenë edhe nga Zyra e Kryeministrit.
Pavarësisht që pllakata e Republikës së Kosovës është vendosur në shumicën e objekteve, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se në çfarë forme do të funksionojnë këto objekte.
E ish- zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka po thotë se ky veprim i institucioneve të Kosovës lidhet më shumë për të tërhequr elektorat sesa për punë konkrete.
“Nga ajo se cfarë po shoh unë ato veprime janë më shumë veprime të votës sesa ndonjë shtrirje siç po thonë këta shtrirje e sovranitetit, shtrirja e sovranitetit atje ka kohë që është arritur e ato çfarë I kanë serbët si objekte janë çështje të brendshme të cilat nuk kanë pengu për funksionimin e një shteti normal”, ka deklaruar Zeka.
Policia e Kosovës në njoftimin e saj tha se aksionin e 30 gushtit e ndërmori pas një kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Pas kësaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan duke kritikuar ashpër Qeverinë se ka instrumentalizuar Policinë e paralajmëroi se më nuk do të jetë i njëjtë bashkëpunimi as me MPB-në por as agjencitë e institucionet në kuadër të saj.