Çollaku: Bashkësia ndërkombëtare po e toleron Serbinë, ka qasje joparimore ndaj Kosovës
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Collaku, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po zhvillon politikë joparimore e të njëanshme në raportet Kosovë – Serbi.
Çollaku tha se sulmi në Banjskë u kapërcye shumë lehtë nga ndërkombëtarët, kurse kërkesat e veprimet legjitime të Qeverisë së Kosovës, sulmohen nga ta ashpër.
“… me këtë politikë joparimore dhe të njëanshme të bashkësisë ndërkombëtarë ndaj Kosovës përkëdhelje e madhe i bëhet Serbisë. U goditën vlerat evropiane në sulmin e Banjskës. Asnjë kërkesë imediate për t’u vënë para drejtësisë ata persona. Asnjë trysni për Serbinë. Kapërcehet diçka shumë e rëndë. I kërkohet llogaridhënie Kosovës për diçka që është parimore kushtetuese”, tha ai në RTV Dukagjini.
Tutje ai tha se Kosovës po i shihet për të madhe tentimi për të vënë rend dhe ligj në veri të Kosovës.
“Luftimi i bandave kriminale, për të vu rend i shihet për të madhe Kosovës. I kërkohet të ngrihet në nivel ndërkombëtar çështja e urës. Bëhet një qasje jo të drejtë jo demokratike ndaj Kosovës dhe një tolerim i vazhdueshëm i Serbisë. Kjo tregon se jemi të pabarabartë dhe të patrajtuar drejt”, tha ai.